Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshe nga Spanja, Norvegjia mbështet objektivin e ri të NATO-s për shpenzimet ushtarake prej 5%,


Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, deklaroi mbështetjen e vendit të tij për objektivin e ri të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për rritjen e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Gjatë një konference për shtyp, Støre shpjegoi se objektivi i ri ndahet në dy kategori: 3.5% për shpenzime “klasike” në fushën e mbrojtjes, si pagat, investimet, gatishmëria ushtarake dhe ndihma për Ukrainën; dhe 1.5% për shpenzime “të lidhura me mbrojtjen”, si mbrojtja dhe zhvillimi i infrastrukturës kritike, përballja me kërcënimet hibride, përfshirë kërcënimet digjitale dhe fushatat dezinformuese.

Ai shtoi se aktualisht Norvegjia po shpenzon 3.2% të PBB-së për mbrojtjen, nëse përfshihet edhe ndihma për Ukrainën. Vlerësimet më të fundit të NATO-s për vitin 2024 e rendisin Norvegjinë me një nivel shpenzimesh prej 2.2%, përcjell The Guardian.

Megjithatë, Støre vuri në dukje se ende nuk është përcaktuar një afat se kur duhet të arrihet ky objektiv, çështje e cila pritet të diskutohet dhe të vendoset gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s javën e ardhshme.

Kryeministri norvegjez përsëriti gjithashtu paralajmërimin e tij se vendi po përballet me “situatën më serioze të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore”, duke iu referuar edhe kërcënimeve të reja që vijnë nga krizat në Lindjen e Mesme.

Kjo mbështetje vjen në kontrast me qëndrimin e Spanjës, e cila e ka kundërshtuar këtë objektiv të ri prej 5%, duke e cilësuar atë si “të paarsyeshëm”. Ndërkohë, vende të tjera anëtare të NATO-s vijojnë të jenë të ndara në qëndrimet e tyre mbi këtë propozim ambicioz.