Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtime të paligjshme në “Urën e Vashës”, në hetim një 50-vjeçar nga Klosi


Policia e Matit ka nisur një hetim penal ndaj një 50-vjeçari të dyshuar për ndërhyrje të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, një nga veprat historike më të rëndësishme të zonës. Shtetasi F. S., banues në fshatin Fshat të Klosit, akuzohet për kryerjen e gërmimeve, zhvendosjen e inertesh dhe ndërtimin pa leje në afërsi të monumentit të mbrojtur.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat kanë referuar materialet në Prokurorinë e Dibrës, ndërsa ndaj 50-vjeçarit ka nisur procedimi penal për veprat penale “Shkatërrimi i veprave kulturore”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.

Hetimet kanë konstatuar se ndërhyrjet janë kryer në mënyrë flagrante dhe pa asnjë autorizim, duke vënë në rrezik integritetin e një monumenti të rëndësisë së veçantë kulturore. F. S. është kapur në flagrancë nga autoritetet ndërsa po ndërtonte një objekt pa leje ndërtimi pranë urës historike.

Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërkohë, autoritetet kanë theksuar se do të intensifikojnë kontrollet për të mbrojtur pasuritë kulturore nga dëmtimet dhe abuzimet.