
Pesë spitale në Iran janë dëmtuar si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, bëri të ditur kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Pirhossein Kolivand, në një intervistë për mediat shtetërore. Ende nuk është bërë e qartë se cilat spitale janë prekur konkretisht dhe në çfarë kohe kanë ndodhur dëmet.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, Kolivand deklaroi se dritaret prej xhami të spitaleve janë thyer dhe disa pacientë kanë pasur vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit të përhapur nga shpërthimet.
Ai sqaroi se spitalet nuk kanë qenë objektiva të drejtpërdrejta, por theksoi se Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe do ta ngrejë çështjen pranë organeve ndërkombëtare si një shkelje e ligjit humanitar ndërkombëtar, i cili ndalon goditjen e objekteve shëndetësore në kohë konflikti.
“Ne i kemi dokumentuar këto sulme të regjimit izraelit, që shkelin parimet ndërkombëtare, dhe i kemi dërguar pranë institucioneve ndërkombëtare për ndjekje,” tha Kolivand për IRNA-n.
Nga ana tjetër, edhe Izraeli ka raportuar dëme në një nga spitalet e tij kryesore, Qendrën Mjekësore Soroka në Beersheba, pas një sulmi iranian të enjten. Ndërkohë, Irani ka mohuar se ka goditur me qëllim objekte spitalore në territorin izraelit.