
Dy aksidente rrugore janë regjistruar mbrëmjen e sotme në jug të vendit, në aksin Fier–Ballsh dhe në aksin Tepelenë–Këlcyrë, duke sjellë disa të plagosur, mes tyre edhe të mitur.
Rreth orës 21:00, në fshatin Plyg, në aksin Fier–Ballsh, një 15-vjeçar nga fshati Mbyet, duke drejtuar një automjet, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë janë plagosur vetë drejtuesi si dhe dy pasagjerët e moshës 13 dhe 14 vjeç, gjithashtu banues në Mbyet. Të tre të miturit janë dërguar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër aksident është shënuar në kthesën e fshatit Mezhgoran, në aksin rrugor Tepelenë–Këlcyrë. Një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga një shtetas me inicialet H.L., banues në Tiranë, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Drejtuesi ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit të Gjirokastrës për trajtim të specializuar.
Në të dyja rastet, Policia Rrugore vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidenteve.