
Gjatë seancës së radhës të mbajtur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen “Gërdeci”, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka hedhur poshtë akt-ekspertizën e paraqitur nga grupi i ekspertëve.
Ai ka kërkuar që gjykata të marrë parasysh dëshmitë e dhëna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga personalitete politike dhe ushtarake të kohës.
Mediu bëri me dije se gjashtë kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e dhëna me afidavit (deklarime të betuara para noterit, me vlerë prove sipas sistemit gjyqësor amerikan), të merren parasysh nga gjykata shqiptare.
“6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës, të dhëna në SHBA vullnetarisht me afidavit – që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin amerikan të drejtësisë – të merren parasysh në procesin ‘Gërdeci’,” deklaroi Mediu në sallën e gjyqit.
Kjo lëvizje vjen pas refuzimit nga ana e GJKKO-së për të thirrur si dëshmitarë këto persona që kishin dhënë dëshmitë e tyre në SHBA.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të zhvillohet më 24 qershor, ora 13:00.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave në ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, ku shpërthimi i vitit 2008 la pas dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.