
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të përjashtojnë qytetarët iranianë nga gjobat për tejkalimin e lejes së qëndrimit, si pasojë e mbylljes së hapësirës ajrore në rajon që nga përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, njoftojnë mediat shtetërore.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve WAM, kjo masë synon të lehtësojë barrën për individët që nuk kanë mundur të kthehen në Iran për shkak të pezullimit të fluturimeve. Përjashtimi vlen si për banorët, ashtu edhe për vizitorët, pavarësisht nga lloji i vizës që ata mbajnë.
Përplasjet ajrore mes Iranit dhe Izraelit kanë çuar në mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore në disa vende të rajonit, duke shkaktuar anulime të shumta fluturimesh dhe lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar.