
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, njoftoi sot se Shqipëria do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi për të forcuar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe veprimin e koordinuar në rajon.
Deklarata u bë gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, ku Çela theksoi se ky dokument do të japë efekte pozitive në konsolidimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër kriminalitetit.
“Jemi të vetëdijshëm që puna jonë edhe në raportin rajonal lidhet ngushtë me këtë proces, ndërsa ky projekt ka hedhur themelet drejt një integrimi më të fortë dhe të sigurt dhe më afër familjes evropiane”, tha Çela.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, theksoi sot nevojën për një bashkërendim më të mirë mes agjencive ligjzbatuese brenda vendit, në mënyrë që hetimet të harmonizohen dhe të ecin në të njëjtin ritëm me vendet e tjera të rajonit.
“Shpresoj që dita e sotme të vlejë pozitivisht duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkrojmë në vijimin e bashkëpunimit rajonal.
Falë këtij projekti kemi parë përmirësime konkrete në funksion të bashkëpunimit rajonal, krejt e paimagjinueshme disa vite më parë.
Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet.
Është shenjë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunimin dypalësh do japë efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal”, tha ai.