Vendosni fjalën kyçe....

27 mijë nxënës testohen sot në Matematikë


Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen të martën, më 18 qershor, provimit të tretë të maturës shtetërore , atij te matematikës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nxënësit duhet të jenë në ambientet e shkollës në orën 08:30, ndërsa provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Për herë të parë, këtë vit janë përgatitur teste të personalizuara për maturantët me aftësi të kufizuara, në kuadër të një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në procesin e vlerësimit.

Janë ngritur 145 qendra testimi në përputhje me standardet e nevojshme, ndërsa në procesin e vlerësimit janë angazhuar 640 mësues.

Rregulla gjatë provimit:

Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);

Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;

Gjatë kohës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;

Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;

Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;

Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;

Nuk lejohet largimi para 12:30;

Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.

Provimi i fundit që do të zhvillojnë është ai me Zgjedhje më 24 qershor.