Vendosni fjalën kyçe....

Trump i ofron Iranit një “mundësi të fundit” për marrëveshjen bërthamore


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet t’i paraqesë Iranit një ofertë të fundit për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, sipas burimeve amerikane dhe evropiane.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se kjo ofertë mund të jetë pak më e favorshme sesa propozimi i mëparshëm që administrata e Trump i kishte dorëzuar Iranit rreth një javë e gjysmë më parë. Megjithatë, pritet që çdo propozim të bazohet në parimin amerikan të zero pasurimit të uraniumit.

Sipas raportimeve nga JP, Irani i ka kërkuar Omanit dhe Katarit të ndërmjetësojnë me administratën e Trump për të ndaluar sulmet izraelite dhe për të rifilluar negociatat mbi programin bërthamor. Arabia Saudite po punon gjithashtu në prapaskenë për të promovuar një armëpushim.

Trump konfirmoi më herët se Irani i është drejtuar SHBA-së për të ndaluar sulmet izraelite, duke deklaruar: “Duket se Irani nuk po fiton këtë luftë. Ata duhet të flasin para se të jetë tepër vonë”.

Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ndaj përpjekjeve të Iranit për një armëpushim, duke thënë:

“Nuk më surprizon. Ata duan të vazhdojnë këto bisedime të rreme – të gënjejnë, të mashtrojnë dhe të tërheqin SHBA-në me vete. Ne kemi inteligjencë shumë të fortë mbi këtë”.

Administrata amerikane ka konfirmuar se aeroplanmbajtësja USS Nimitz do të mbërrijë në Lindjen e Mesme, dhe rreth 30 avionë furnizues po dërgohen në rajon. Një burim amerikan ka thënë se po bëhen përgatitje për një pjesëmarrje të mundshme në sulme, nëse Trump jep dritën e gjelbër.