Vendosni fjalën kyçe....

Raporti – Irani u kërkon vendeve arabe të ndërmjetësojnë te Trump për armëpushim të menjëhershëm


Irani ka dërguar “mesazhe urgjente” duke sinjalizuar dëshirën për t’i dhënë fund përplasjes ushtarake me Izraelin dhe për t’u rikthyer në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor, raportoi të hënën pasdite Wall Street Journal.

Sipas raportit, mesazhet janë dërguar nëpërmjet ndërmjetësve nga vende arabe dhe përfaqësuesve zyrtarë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, drejtuar si Izraelit, ashtu edhe Shteteve të Bashkuara, përjell Ynet.

Irani ka theksuar në këto komunikime se është i hapur për rifillimin e bisedimeve për programin bërthamor, “me kusht që SHBA të mos përfshihet në sulmet izraelite”.

Ndërkohë, të hënën pasdite, Irani raportoi për shpërthime në pjesën lindore dhe perëndimore të Teheranit si pasojë e goditjeve ajrore nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Sipas agjencisë iraniane “Fars”, një bazë ushtarake në perëndim të vendit është goditur dhe sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar.

Këto sulme vijnë pas paralajmërimit publik nga zëdhënësi persian i IDF-së, rreshteri rezervist Kamal Pinhasi, i cili u bëri thirrje qytetarëve të distriktit 3 në Teheran të evakuohen urgjentisht. Në njoftimin e tij, Pinhasi deklaroi: “Paralajmërim urgjent për punonjësit dhe banorët e distriktit 3 në Teheran. Gjatë orëve në vijim, IDF do të veprojë në këtë zonë, ashtu siç ka vepruar ditët e fundit në të gjithë Teheranin, për të goditur infrastrukturën ushtarake të regjimit iranian. Qytetarë të nderuar, për sigurinë tuaj, ju kërkojmë të largoheni menjëherë nga zona e shënuar sipas hartës. Prania juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj.”

Ndërkohë, në qytetin izraelit të Haifës, tre persona humbën jetën pasi një raketë goditi rafinerinë e naftës Bazan.

 Sipas hetimeve paraprake të publikuara të hënën në mbrëmje, viktimat ndodheshin në një dhomë të brendshme të strukturës, e cila konsiderohej më e mbrojtura.

Dyshohet se janë zënë poshtë rrënojave dhe mund të kenë humbur jetën si pasojë e mbytjes nga tymi i dendur që përfshiu ambientin pas shpërthimit.