Vendosni fjalën kyçe....

Protesta të mëdha kundër mbiturizmit në Spanjë e Portugali


Mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve në Evropën Jugore të dielën për të demonstruar kundër mbiturizmit, duke qëlluar me pistoleta uji vitrinat e dyqaneve dhe duke ndezur tym në Barcelonë, ku u zhvillua protestat më të mëdha.

“Pushimet tuaja, janë mjerimi im”, brohoritën protestuesit në rrugët e Barcelonës, ndërsa mbanin lart pankarta me slogane të tilla si “turizmi masiv vret qytetin” dhe “lakmia e tyre na sjell rrënim”.

Nën ombrellën e aleancës SET – Sud d’Europa contra la Turistització, ose në gjuhën katalanase për “Evropa Jugore kundër Turizmit të Tepërt” – protestuesit bashkuan forcat me grupe në Portugali dhe Itali, duke argumentuar se turizmi i pakontrolluar po rritte çmimet e banesave dhe po i detyronte njerëzit të largoheshin nga lagjet e tyre. Barcelona, ​​një qytet me 1.6 milionë banorë, tërhoqi 26 milionë turistë vitin e kaluar, Reuters.

Autoritetet në qytetin verilindor spanjoll thanë se rreth 600 njerëz iu bashkuan demonstratës atje, disa prej të cilëve qëlluan me pistoleta uji ose ndezën tym me ngjyra dhe vendosën afishe me mbishkrimin “Vetëmbrojmë lagjet, turistë shkoni në shtëpi” në vitrinat e dyqaneve dhe hoteleve.

Jashtë një hoteli, një punëtor i shqetësuar u përball me protestuesit duke thënë se ai “vetëm po punonte” dhe nuk ishte pronari i vendit.

Demonstrata të ngjashme pati edhe në pjesë të tjera të Spanjës, duke përfshirë Ibizën, Malagën, Palma de Mallorcën, San Sebastianin dhe Granadën. Protestat në Itali u zhvilluan në qytete si Xhenova, Napoli, Palermo, Milano dhe Venecia, ku vendasit kundërshtojnë ndërtimin e dy hoteleve që do të shtojnë rreth 1,500 shtretër të rinj në qytet, thanë organizatorët për Reuters.

Në Barcelonë, qeveria e qytetit tha vitin e kaluar se do ndalonte qiradhënien e apartamenteve për turistët deri në vitin 2028 për ta bërë qytetin më të jetueshëm për banorët.

“Jam shumë e lodhur duke qenë një bezdi në qytetin tim. Zgjidhja është të propozohet një ulje radikale e numrit të turistëve në Barcelonë dhe të kërkohet për një model tjetër ekonomik që sjell prosperitet në qytet”, tha Eva Vilaseca, 38 vjeç, për Reuters në demonstratën e së dielës në Barcelonë, duke hedhur poshtë kundërargumentin e zakonshëm se turizmi sjell vende pune dhe prosperitet.

Shpenzimet për udhëtime ndërkombëtare në Evropë pritet të rriten me 11% në 838 miliardë dollarë këtë vit, me Spanjën dhe Francën midis vendeve që pritet të presin numër rekord turistësh.

Një protestë në Lisbonë ishte planifikuar për më vonë të dielën pasdite.