
Kompania izraelite e petrokimisë, Bazan, njoftoi se rafineria e saj në Haifa ka pësuar dëmtime nga sulmi me raketa iraniane të shtunën. Sipas kompanisë, linjat e përçimit u dëmtuan, por rafineria vazhdon të operojë normalisht.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi të dielën se Irani nuk dëshiron që konflikti me Izraelin të përhapet në vendet fqinje. Ai kërkoi që Shtetet e Bashkuara të dënojnë sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke akuzuar Izraelin se po përpiqet të sabotojë negociatat SHBA-Iran për një marrëveshje bërthamore, përcjell JP.
Për herë të parë, zëdhënësi i IDF-së postoi një paralajmërim për iranianët që jetojnë pranë objekteve të prodhimit të armëve, duke u kërkuar të largohen menjëherë nga zona për arsye sigurie.
Në Izrael, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë gjashtë trupa nga rrënojat në Bat Yam, pas një goditjeje direkte të një rakete balistike në një bllok apartamentesh. Sulmet kanë shkaktuar mbi 200 të plagosur, ndërsa shtatë persona ende konsiderohen të zhdukur.
IDF njoftoi se ka interceptuar një dron sulmues mbi rajonin e shkretëtirës Arava, ndërsa Marina izraelite rrëzoi shtatë dronë të tjerë që synonin luginat lindore dhe Galilenë e poshtme.