
IDF ka raportuar sukses të madh në goditjen e programit bërthamor dhe raketor të Iranit, si dhe objektivave ekonomike, por ende nuk ka një parashikim të qartë për momentin kur sulmet ajrore mund të zvogëlojnë ndjeshëm kundërsulmet iraniane me raketa balistike. Deri tani, këto sulme kanë shkaktuar 10 viktima dhe mbi 250 të plagosur në Izrael, përcjell JP.
Burime amerikane dhe izraelite kanë vlerësuar se Irani kishte rreth 3,000 raketa balistike para luftës, por vetëm 1,000 prej tyre mund të arrinin Izraelin. Po ashtu, Irani dispononte 150-250 lëshues për këto raketa.
Gjatë sulmeve të mëparshme në prill dhe tetor 2024, Irani lëshoi rreth 300 raketa balistike ndaj Izraelit, ndërsa në sulmet e fundit nga e premtja deri të dielën janë lëshuar mbi 200 raketa të tjera. Zyrtarët izraelitë besojnë se Teherani mund të lëshojë edhe disa qindra raketa të tjera.
Izraeli ka goditur një numër të madh raketash balistike dhe lëshuesish, përfshirë një objekt nëntokësor me dhjetëra raketa, por nuk ka dhënë një vlerësim të saktë mbi kapacitetin e mbetur të Iranit për sulme të mëtejshme.
Natën e kaluar, Irani lëshoi tre breshëri raketash balistike, me një total prej rreth 75 raketash në orën 23:00, 02:00 dhe 02:55.
Deri tani, IDF ka goditur rreth 170 objektiva në Iran që nga e premtja, duke prekur 720 lokacione të ndryshme.
Nëse Irani redukton intensitetin e sulmeve në 50-100 raketa në ditë, ai mund të vazhdojë të mbajë nën zjarr frontin izraelit për javë ose muaj.
IDF ka theksuar se sulmet ajrore po zhvillohen në faza, duke filluar me eliminimin e mbrojtjes ajrore iraniane, komandantëve kryesorë dhe objektit bërthamor të Natanzit. Më pas, fokusi është zhvendosur te lëshuesit e raketave balistike dhe mjetet sulmuese, megjithëse kjo është sfiduese për shkak të lëvizshmërisë së tyre.
Ndryshe nga sulmet ndaj Hezbollahut, IDF nuk mund të përdorë fuqi të madhe zjarri çdo ditë në mënyrë të vazhdueshme.
Një zyrtar i IDF-së ka deklaruar se progresi është më i shpejtë se sa ishte planifikuar dhe se ushtria amerikane është shumë e impresionuar, por ende mbetet e paqartë se sa kohë do të zgjasë kërcënimi ndaj frontit izraelit.