Vendosni fjalën kyçe....

Trump reagon pas atentatit ndaj ligjvënësve në Minnesota: Sulm i tmerrshëm, nuk do të tolerohet


Ligjvënësja Melissa Hortman u vra, ndërsa Senatori John Hoffman mbeti i plagosur gjatë një sulmi të dyshuar si i motivuar politikisht

Pas sulmit të armatosur ndaj dy politikanëve nga Minnesota dhe bashkëshortëve të tyre të shtunën në mëngjes, Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar përmes një deklarate të shpërndarë nga Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt.

Në orët e para të së shtunës, ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Minnesotës, Melissa Hortman, dhe bashkëshorti i saj u qëlluan për vdekje në banesën e tyre. Ngjarja po hetohet si një sulm i mundshëm i motivuar politikisht.

Po ashtu, Senatori i Minnesotës, John Hoffman, dhe bashkëshortja e tij u qëlluan në një tjetër incident të ngjashëm. Sipas guvernatorit të shtetit, Tim Walz, çifti pritet të mbijetojë.

Në deklaratën e presidentit Trump thuhet:

“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Minnesota, që duken si një sulm i drejtuar ndaj ligjvënësve shtetërorë.”

“Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe FBI janë duke hetuar rastin dhe do të ndjekin penalisht çdo person të përfshirë deri në maksimumin e ligjit. Dhuna kaq e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë popullin e shkëlqyer të Minnesotës, një vend vërtet i jashtëzakonshëm!”