Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vret 45 persona në Gaza, shumë prej tyre pranë një pike ndihmash, thonë mjekët


Të paktën 45 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit dhe sulmet ajrore në Rripin e Gazës të shtunën, shumë prej tyre pranë një pike shpërndarjeje ndihmash të operuar nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga SHBA, njoftuan autoritetet lokale shëndetësore.

Mjekët në spitalet Al-Awda dhe Al-Aqsa në pjesët qendrore të Gazës, ku u transportuan shumica e viktimave, thanë se të paktën 15 persona u vranë ndërsa përpiqeshin të afroheshin pranë pikës së ndihmave të GHF-së, pranë korridorit Netzarim.

Ushtria izraelite deklaroi se një avion kishte qëlluar mbi një person për të “neutralizuar kërcënimin”, pasi ai kishte avancuar drejt trupave dhe kishte injoruar të shtënat paralajmëruese pranë një grupi personash.

Javën e kaluar, ushtria paralajmëroi palestinezët të mos i afroheshin rrugëve që çojnë te pikat e shpërndarjes së GHF-së nga ora 18:00 deri në 06:00, duke i përshkruar ato si zona ushtarake të mbyllura. GHF deklaroi se asnjë nga qendrat e saj të shpërndarjes nuk ishte hapur të shtunën.

“Pikat tona të shpërndarjes nuk ishin të hapura sot dhe nuk pati incidente në to, sepse ishin të mbyllura,” thuhet në përgjigjen me shkrim që GHF i dha agjencisë Reuters për ngjarjen e së shtunës, sipas Reuters.

GHF nisi shpërndarjen e ndihmave ushqimore në Gaza në fund të majit, pasi Izraeli hoqi pjesërisht një bllokadë totale që kishte zgjatur gati tre muaj. Qindra palestinezë janë vrarë në përpjekje për të marrë ndihma, për shkak të të shtënave të përditshme pranë pikave të ndihmave.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka kundërshtuar sistemin e ri të shpërndarjes së ndihmave të mbështetur nga Izraeli, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshëm, të rrezikshëm dhe në shkelje të parimeve të paanshmërisë humanitare.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të shtunën se të paktën 274 persona janë vrarë dhe më shumë se 2,000 janë plagosur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave që nga fillimi i operacioneve të GHF-së.

Grupi Hamas, i cili mohon akuzat izraelite për vjedhje të ndihmave, akuzoi Izraelin se po “përdor urinë si armë lufte dhe po i shndërron pikat e ndihmave në kurthe për vrasjen masive të civilëve të pafajshëm”.

Ndërkohë, zyrtarë shëndetësorë në Spitalin Shifa në Gaza raportuan se të paktën 12 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit, ndërsa ishin mbledhur përgjatë rrugës bregdetare në veri të Gazës për të pritur kamionët me ndihma.