Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët protestë para FSHF-së për ndalimin e flamujve të UÇK-së, tension me policinë


Të enjten, para zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në Tiranë, një grup tifozësh dhe aktivistësh organizuan një protestë në shenjë pakënaqësie ndaj ndalimit të simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në stadiumin “Arena Kombëtare” gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi.

Vendimi i FSHF-së për të ndaluar fanellat dhe flamujt me simbolet e UÇK-së është pritur me reagime të forta, veçanërisht pas pamjeve të shpërndara në rrjete sociale ku policia tërhiqte me forcë flamuj nga duart e tifozëve dhe i largonte ata që mbanin bluza me simbole të UÇK-së.

Të revoltuar, disa tifozë vendosën flamuj të UÇK-së jashtë rrethimit të FSHF-së, duke protestuar paqësisht. Megjithatë, situata u tensionua kur ndodhi një përplasje verbale dhe fizike mes tyre dhe efektivëve të policisë e sigurisë private. Fatmirësisht, përplasja nuk u shoqërua me incidente serioze.