
Një zjarr masiv ka përfshirë sot një sipërfaqe pyjore në Qeparo, por falë ndërhyrjes së shpejtë nga toka dhe ajri, flakët janë neutralizuar plotësisht. Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, zjarri u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar banesa dhe një fabrikë vaji në zonë.
Në operacionin e shuarjes u angazhua helikopteri Black Hawk i Forcës Ajrore, i cili luajti një rol kyç në përballimin e vatrës aktive. Gjithashtu, në terren ishin të mobilizuar zjarrfikësit, efektivët e MZSH-së dhe punonjësit e shërbimit pyjor, të cilët punuan intensivisht për të shmangur pasojat më të rënda.
Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC kanë apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta dhe erëra të forta. Çdo zjarr, sado i vogël, duhet raportuar menjëherë për të parandaluar situata të rrezikshme për jetën, pronën dhe natyrën.