
Presidenti amerikan Trump, tha të enjten se një sulm izraelit ndaj Iranit “mund të ndodhë në çdo kohë”, por ai nuk e sheh atë të afërt dhe parapëlqen ta shmangë luftën me Teheranin dhe të arrijë një zgjidhje paqësore për programin e tij bërthamor.
Komentet e Trump erdhën pasi bordi i guvernatorëve të mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së deklaroi se Irani ka shkelur detyrimet e tij dhe Teherani njoftoi kundërmasa, pasi një zyrtar i lartë iranian tha se një “vend mik” e kishte paralajmëruar atë për një sulm të mundshëm izraelit.
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë janë planifikuar të zhvillojnë një raund të gjashtë bisedimesh mbi programin e pasurimit të uraniumit në rritje të Teheranit të dielën në Oman, sipas zyrtarëve nga të dy vendet dhe ndërmjetësve të tyre omanë.
Por shqetësimet për sigurinë janë rritur që kur Trump tha të mërkurën se personeli amerikan po zhvendosej nga rajoni sepse “mund të jetë një vend i rrezikshëm” dhe se Teheranit nuk do t’i lejohej të zhvillonte një armë bërthamore.
Uashingtoni është i shqetësuar se Izraeli mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit në ditët në vijim, thanë zyrtarët amerikanë në kushte anonimiteti, pavarësisht paralajmërimit të fundit të Trump ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu kundër një sulmi të tillë, ndërsa diplomacia amerikane po bisedon me Teheranin, shkruan Reuters.
Inteligjenca amerikane tregon se Izraeli ka bërë përgatitje për të goditur instalimet bërthamore të Iranit. Por një zyrtar amerikan tha se nuk kishte asnjë shenjë se Izraeli kishte marrë një vendim përfundimtar.
“Nuk dua të them se është i afërt, por duket se është diçka që mund të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Iranit nuk mund t’i lejohet të zhvillojë një armë bërthamore.
“Do doja shumë ta shmangia konfliktin”, tha ai.
Siguria në Lindjen e Mesme është destabilizuar tashmë nga efektet e luftës në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.
Trump ka kërcënuar të bombardojë Iranin nëse bisedimet bërthamore nuk sjellin një marrëveshje dhe tha se është bërë më pak i sigurt se Teherani do bjerë dakord të ndalojë pasurimin e uraniumit. Republika Islamike dëshiron heqjen e sanksioneve të SHBA-së të vendosura ndaj saj që nga viti 2018.
Më herët të enjten, Trump shprehu zhgënjim që çmimet e naftës ishin rritur mes shqetësimeve për furnizimin që rrjedhin nga lufta e mundshme në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters të enjten se tensionet e fundit kishin për qëllim “të ndikonin Teheranin që të ndryshonte qëndrimin e tij në lidhje me të drejtat e tij bërthamore” gjatë bisedimeve të së dielës.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se edhe nëse objektet bërthamore të vendit do shkatërroheshin nga bombat, ato do rindërtoheshin, raportoi media shtetërore të enjten.