
Gjermania ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, duke planifikuar të miratojë 1.9 miliardë euro mbështetje shtesë, përcjell Kyiv Post. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev më 12 qershor.
Kjo rritje e financimit do të çojë vlerën totale të ndihmës ushtarake gjermane për Ukrainën në rreth 9 miliardë euro për vitin 2025. Një pjesë e fondeve do të përdoret për një plan të mbështetur nga Gjermania, që synon të ndihmojë Ukrainën në prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi.
Megjithëse kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur më parë mbështetje për dërgimin e raketave Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi prej mbi 500 kilometrash, ai nuk ka ndryshuar qëndrimin e qeverisë që nga marrja e detyrës muajin e kaluar. Ministri Pistorius konfirmoi se Gjermania nuk po shqyrton aktualisht dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë.