Vendosni fjalën kyçe....

Rama kundër kërkesës së gjyqtarëve për rritje page: Uroj që shakaja e hidhur të mos përsëritet në Kushtetuese


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesës së përsëritur të Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash përmes Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një praktikë të paprecedentë dhe të papranueshme në një shtet demokratik.

Në një postim në rrjetin social X, Rama u shpreh se kërkesa për rritje me 700 euro të pagave të gjyqtarëve cenon rëndë Kushtetutën dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Ai rikujtoi se një kërkesë e ngjashme ishte bërë edhe në vitin 2022, kur Gjykata Kushtetuese pranoi vendosjen e një page bazë të lidhur me atë të një drejtori të Departamentit në Kryeministri, duke e cilësuar atë vendim si një “shaka të hidhur”.

“Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri”, shkruan Rama.

Ai theksoi se kjo kërkesë përfaqëson një ndërhyrje të padrejtë të gjyqësorit në kompetencat e qeverisë dhe se nëse pranohet, do të përbëjë një abuzim të rëndë institucional.

“Fakti që për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit ne i rritëm menjëherë pagat me Reformën në Drejtësi, nuk mund të shihet si një privilegj i përjetshëm. Kjo Republikë nuk mund të jetë e vetmja në botë ku gjyqtarët vendosin vetë për pagat e tyre, jo me vendim qeverie apo Kuvendi, por me vendim gjykate”, theksoi Kryeministri.

Ai shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos përsërisë atë që ai e cilësoi si “lajthitje” të vitit 2022, duke paralajmëruar se këtë herë qeveria nuk do të qëndrojë më në heshtje.

“Heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion. Ky do të ishte një abuzim madhor, që do të cënonte Kushtetutën dhe seriozitetin e Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Rama.