
Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për përdorim ushtarak dhe civil.
Sipas vendimit të publikuar, “KAYO” sh.a., gjatë procesit të negociatave, do të duhet të sigurojë nga pala private një investim minimal prej 15 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare, si dhe punësimin e të paktën 150 personave brenda së njëjtës periudhë.
Shoqëria e përbashkët do të regjistrohet në Republikën e Shqipërisë dhe do të ketë objekt prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe atyre të përdorura nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile, në përputhje me standardet e NATO-s. “KAYO” do të zotërojë jo më pak se 45% të aksioneve dhe do të kontribuojë me një sipërfaqe të paktën 20 mijë m², që do t’i vihet në dispozicion shoqërisë së përbashkët pa të drejtë tjetërsimi.
Ndër kushtet që pala private duhet të plotësojë, përveç investimit dhe punësimit, përfshihet:
Ofrimi i linjave teknologjike për prodhimin e mjeteve të blinduara sipas nevojave të Forcave të Armatosura dhe standardeve të NATO-s;
Sigurimi i një rrjeti shpërndarjeje për produktet në rast eksporti;
Përfshirja e “KAYO” në zgjedhjen e administratorëve të shoqërisë së përbashkët;
E drejta e “KAYO”-s për të emëruar të paktën 50% të anëtarëve të këshillit drejtues ose mbikëqyrës, nëse parashikohen të tilla;
Garanci për sigurinë fizike të ambienteve të prodhimit dhe mbrojtjen e informacionit teknik dhe tregtar, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjithashtu, “KAYO” dhe partneri privat do të kenë të drejtën të furnizojnë Forcat e Armatosura të Shqipërisë me mjetet e prodhuara nëpërmjet kësaj shoqërie të përbashkët.
VKM:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:
- a) një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
- b) punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
- c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 50% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
- Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
- Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë negociatave ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.
- Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me mjetet që do të prodhohen nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
- Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU