
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” pas publikimit në media dhe portale të ndryshme të një videoje që lidhet me ngjarjen tragjike në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, ku humbi jetën i mituri Martin Cani.
Pamjet filmike, të datës 18 nëntor 2024, tregojnë momentet e konfliktit mes të miturve dhe përmbajnë etiketimet e gjeneraliteteve të tyre. Prokuroria ka administruar një CD me pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, të cilat janë pjesë e dosjes hetimore. Këto pamje i janë vënë në dispozicion avokatit të familjes së viktimës, me kusht që të mos publikoheshin, por pavarësisht kësaj, ato u shpërndanë në media dhe portale online.
Autoritetet kanë theksuar se publikimi i kësaj videoje përbën shkelje të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, pasi përmban prova nga një proces gjyqësor që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar përgjegjësit e publikimit të materialit dhe për të përcaktuar masat ligjore ndaj tyre.