
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit për zgjatjen me gjashtë muaj të hetimeve ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi vendimin si një akt politik dhe kriminal që, sipas tij, “dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta”.
Berisha akuzoi kryeministrin se po e mban Metën në burg pa asnjë provë dhe se gjithçka po ndodh me urdhër të tij.
“Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës. Ai mbahet në qeli si person nën hetim, pa asnjë fakt penal”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, vendimi për të shtyrë me 6 muaj afatin e hetimeve edhe pas dorëzimit të dosjes në gjykatë, është shkelje e ligjit dhe e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në deklaratën e tij, Berisha e krahasoi urrejtjen politike të kryeministrit Rama ndaj Metës me veprimet e të afërmve të tij në periudhën komuniste.
“Nuk ka kufi urrejtja e Edi Ramës për kundërshtarin e tij politik. Është identike me urrejtjen e babait të tij xhelat, që firmosi në gusht të 1988 varjen e Havzi Nelës, dhe me atë të dajës së tij xhelat, që më 11 dhjetor 1990 kërkonte tanket dhe mitralozët mbi studentët”, tha Berisha.
Ai përfundoi duke paralajmëruar se “do të ketë përgjegjësi për këtë vendim ndaj Metës” dhe se Shqipëria po qeveriset nga një “bandokraci” apo “narkodiktaturë”, ku drejtësia përdoret për të eliminuar kundërshtarët politikë.