
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur një tjetër akuzë të rëndë ndaj qeverisë, duke pretenduar për manipulim masiv të zgjedhjeve të 11 majit 2025 përmes një skeme që synonte të pengonte votimin e pensionistëve.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se punonjës të shtetit, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, kanë mbledhur kartat e identitetit të qytetarëve të moshuar nën pretekstin e shpërndarjes së pensioneve, për të siguruar që ata të mos votonin.
Ai e cilësoi këtë veprim si pjesë të një “farse të shëmtuar elektorale”, të cilën e përshkroi si të mbushur me krime zgjedhore.
“E vërteta është se farsa, siç po e provojmë çdo ditë me fakte, është tërësisht një proces kriminal nga fillimi në fund,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, veprime të tilla shtohen mbi një sërë praktikash të tjera të paligjshme, që përfshijnë blerje votash me para publike, falje gjobash, legalizime, prokurime të fryra dhe aktivitete masive në fushatë për të ndikuar tek votuesit.
Berisha solli në vëmendje një rast konkret nga fshati Barbullush, ku një punonjës poste i identifikuar si Besmir Lepi, sipas një çifti të moshuar, ka mbajtur kartat e tyre të identitetit për më shumë se një javë, duke mos ua kthyer në kohë që ata të mund të ushtronin të drejtën e votës.
Në bisedën e regjistruar mes qytetarëve Lodovik dhe Marie Rrethi me denoncuesin, ata tregojnë se u është marrë karta e identitetit nën arsyetimin se do t’u dërgoheshin pensionet, por kartat nuk janë kthyer më. Ata shprehen të vendosur për të votuar, por janë të penguar për shkak të mungesës së dokumenteve.
“Ky bandit, punonjës i shtetit, me urdhër të Edi Ramës, shkelmon të drejtën kushtetuese themelore të qytetarëve,” u shpreh Berisha.
Ai përgëzoi çiftin që denoncoi publikisht rastin dhe u bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese, sidomos Policisë së Shtetit, që të ndërhyjnë për të ndalur këto, që ai i quajti “krime zgjedhore”.
Berisha me akuza të forta ndaj qeverisë, e cilësoi atë si një “narkodiktaturë” që përdor çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
Video denoncuese e Berishës:
Denoncuesi: Kush jeni, si e keni emrin?
Qytetari: Lodovik …
Denoncuesi: Lodovik kush …
Qytetari: Lodovik Rrethi.
Denoncuesi: A doni me votu nesër…
Lodovik Rrethi: Po ishalla…
Denoncuesi: A keni kartë?
Lodovik Rrethi: Jo. E kam kartën por na e ka marrë ai mjeshtri…
Denoncuesi: Si e ka emrin …
Lodovik Rrethi: Besmiri … te posta.
Gentian Ndoj: Kartën tënde kush e ka marrë?
Lodovik Rrethi: Besmiri.
Gentian Ndoj: Besmiri … Pse nuk ta kthen kartën Besmiri…
Lodovik Rrethi: Nuk di gjë, puna e tij. Ai nuk i hedh lekët ai…
Gentian Ndoj: A të duhet karta ty…
Lodovik Rrethi: Më duhet nesër, kismet …
Gentian Ndoj: Pse të duhet karta…
Lodovik Rrethi: Me votu.
Gentian Ndoj: Sa kohë ka që ta ka marrë kartën?
Lodovik Rrethi: Ka 1 javë.