
Kryeministri Edi Rama ka rikthyer komunikimet e drejtpërdrejta me qytetarët në rrjetet sociale, përmes rubrikës “Sy m’Sy”, e cila u lançua fillimisht gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit.
Kryeministri Edi Rama tha se janë në diskutime me organizatorët për të sjellë në Shqiperi eventin “The Globe Soccer Awards”.
“Ndërkohë jemi në një diskutim së fundmi për të sjellë në Tiranë 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar si opsione dhe Durrësin dhe Vlorën, edicionin evropian të çmimit të globit të futbollit, eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket vetë edicionit global në Dubai dhe për edicionin evropian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne.
Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do të bjerë mbi ne dhe do të jetë fantastike që psh çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer Yamalit fjala vjen t’ja japim këtu në Tiranë.
Po punojmë edhe me Padel International, është një tjetër aktivitet i jashtëzakonshëm që ka mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij.”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se janë në diskutime të avancuara për investime të huaja në fusha si zhvillimi ekonomik, turizmi, teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
Rama njoftoi një bashkëpunim të ri me një klub prestigjioz gjimnastike në Çeki për të sjellë këtë model fillimisht në Tiranë.
“Ka gjëra shumë të nevojshme sa i përket të rinjve, apo fëmijëve, konkretisht për sportin në shkolla që siç kemi folur gjatë fushatës do të shtrijmë aktivitetin në shkolla, edhe në fusha të tjera.
Do të punojmë për të krijuar hapësira për talente për disiplina të tjera. Disiplina për sportin individual të mundjes peshëngritjes tek shahut.
Duke kaluar edhe përmes gjimnastikës, për të cilën do të hapim një kapitull të ri falë bashkëpunimit në një star, shqiptar një djalë i ri emigrant në republikën Çeke, i cili së bashku me një grup zotëron klubin më prestigjioz të gjimnastikës në Republikën Çeke, klubin SKH që është themeluar në 1984, ka një kompleks fantastik në qendër të Pragës.
Sot ne do të kemi një diskutim më të thelluar për të sjellë këtë palestër prestigjioze, fillimisht në Tiranë dhe për ta përdorur dhe për ta shtrirë sportin në shkollë në një disiplinë sfiduese, siç është gjimnastika”, tha ai.
Duke u ndalur te Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur së fundmi në kryeqytetin shqiptar, Rama e cilësoi atë si një sukses të jashtëzakonshëm, jehona e të cilit vazhdon ende në korridoret e politikës evropiane.
Ndërkohë, kryeministri konfirmoi se ka nisur puna për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, një ngjarje që kërkon përgatitje shumëvjeçare. “Grupi i inspektimit nga NATO në Bruksel ka ardhur për të analizuar opsionet dhe për të inventarizuar kapacitetet tona logjistike dhe infrastrukturore,” tha Rama.