Vendosni fjalën kyçe....

Publikimi i pamjeve të vrasjes së Martin Canit, AMA paralajmëron mediat: Abuzim dhe shkelje e etikës


Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka reaguar me tone të forta ndaj publikimit dhe shpërndarjes së një videoje të ndjeshme që lidhet me ngjarjen tragjike të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Tiranë, ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Krasniqi shpreh shqetësimin për shpejtësinë dhe përmasat e përhapjes së videos në fjalë, duke theksuar se disa media po nxitojnë të transmetojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes.

Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit”, shkruan ajo, duke e cilësuar publikimin e pamjeve si abuzim dhe shfrytëzim sensacional të një tragjedie, në kundërshtim me respektin për viktimën dhe familjarët.

Krasniqi u bën thirrje të gjitha OSHMA-ve që të ndalojnë menjëherë transmetimin e materialeve të tilla, duke ruajtur integritetin profesional dhe ndjeshmërinë ndaj një ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik.

Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve dhe ndjeshmërisë së opinionit publik, çdo OSHMA duhet të përmbahet nga transmetimi i këtyre pamjeve,” thekson kryetarja e AMA-s.

Në fund të mesazhit të saj, ajo i bën thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të mediave që të tregojnë përgjegjësi, të ruajnë etikën profesionale dhe të veprojnë në përputhje me ligjin për mediat audiovizive dhe Kodin e Transmetimit në fuqi.

 

Postimi i Krasniqit:

🔴Paralajmërim

‼️Po ndjek me shumë shqetësim rrjedhën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së një videoje që na kthen pas, në ngjarjen e rëndë që ndodhi në kryeqytet, nëntorin e vitit të kaluar, viktimë e së cilës mbeti një 14-vjeçar. Disa media po rendin të publikojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes së tij.

‼️E mirëkuptoj ndjeshmërinë e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen që përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi, dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët kanë informuar dhe vazhdojnë të jenë të interesuar për ngjarjen apo hetimin që erdhi pas saj. E mirëkuptoj edhe dëshirën e mirë të tyre për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

❌️Por KUJDES!❌️

⛔️Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. Publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, i bëj thirrje çdo OSHMA-je të mos transmetojë pamje të tilla⛔️

🙏Të nderuar kolegë!

Ruani etikën!🙏