Vendosni fjalën kyçe....

Dy vëllezër në “betejë” për drejtimin e perandorisë mediatike evropiane


Në qytetin e qetë gjerman të Gütersloh, dy vëllezër tridhjetë e ca vjeçarë javën e kaluar pretenduan se do emëroheshin si shefi i ardhshëm i Bertelsmann, një prej perandorive më të fuqishme mediatike të Evropës.

Çështja e trashëgimisë ishte në ajër, ndërsa Carsten Coesfeld, 38 vjeç, dhe vëllai i tij Thomas, 35 vjeç, mbajtën secili diskutime energjike në stilin “Ted Talk” mbi “rritjen” dhe “shndërrimin” të mërkurën e kaluar. Prezantimet, pjesë e një takimi dy-ditor të korporatës, dukeshin si një audicion publik për punën.

Vëllezërit po shfaqeshin para një audience prej 500 drejtuesish të lartë të Bertelsmann, të mbushur plot në një teatër në qytetin e lindjes së grupit 190-vjeçar. Ai zotëron botuesin “Penguin Random House”, transmetuesin “RTL” dhe “BMG”, një biznes muzikor që përfaqëson yje si Kylie Minogue.

Pas prezantimit të tij, Thomas pranoi për Financial Times se ishte “shumë nervoz” duke pasur parasysh audiencën.

Kalimi në brezin e shtatë të udhëheqjes familjare vjen gjatë një kohe të trazuar si në industrinë e medias ashtu edhe në ekonominë globale.

Me pothuajse 30 përqind të të ardhurave që vijnë nga Amerika e Veriut, Bertelsmann është i ekspozuar ndaj pasojave të luftës tregtare SHBA-Evropë. Ndërkohë, kompania po përballet me një treg të ngadaltë reklamash dhe konkurrencë nga gjigantët e transmetimit, përfshirë Netflix.

BMG përfaqëson artiste si Kylie Minogue © Henry Nicholls/AFP/Getty Images

Vendimi se kush do marrë pozicionin më të lartë i takon kryetarit të kompanisë Christoph Mohn, 59 vjeç, dhe nënës së tij 83-vjeçare, Liz, e veja e Reinhard Mohn, i cili e transformoi Bertelsmann nga një biznes i vogël shtypi në një gjigant botimesh dhe televizion me të ardhura prej gati 19 miliardë eurosh.

Familja shpreson të zgjedhë njërin vëlla deri në fund të vitit, ose më së voni deri verën e ardhshme.

Thomas Schuler, i cili ka shkruar dy libra mbi Bertelsmann, e karakterizoi vendimin me të cilin përballet familja si një “çast vërtet domethënës” në historinë e kompanisë.

Christoph Mohn po zgjedh midis dy kandidatëve me njohuri të thella të biznesit familjar.

Carsten, i cili drejton degën e kapitalit sipërmarrës të Bertelsmann, është një ish-analist i Goldman Sachs, i përshkruar nga kolegët si një shef i kujdesshëm me një prirje për numra.

Thomas, kreu i “BMG”, shoqërohet me muzikantë si Lenny Kravitz dhe Bryan Adams dhe ka një oreks për makinat e shpejtaa – gjatë një prove të fundit të një makine sportive Xiaomi, ai i kërkoi shoferit të përshpejtonte nga 0 në 200 km në orë shtatë herë radhazi.

Zyrtarë të lartë të kompanisë thonë se Carsten dhe Thomas janë të vetmit dy kandidatë që po merren në konsideratë për këtë punë.

Zyra e Bertelsmann në Berlin © John Macdougall/AFP/Getty Images

Paralelet midis përleshjes në krye të Bertelsmann dhe komplotit të serialit të HBO-së “Succession”, i cili i vë fëmijët e zemëruar të një manjati të medias kundër njëri-tjetrit, janë të pashmangshme.

Megjithatë, Mohn, vendimtari kryesor në sagën e trashëgimisë së Bertelsmann, dhe drejtori ekzekutiv i grupit Thomas Rabe, i cili pritet të japë dorëheqjen në fund të vitit 2026, thanë të dy se nuk e kishin parë kurrë serialin e famshëm.

Rabe ka qenë shumë i përfshirë në përgatitjen e “djemve”, siç i quan ai dy trashëgimtarët e Bertelsmann, për ta pasuar atë. Ai e përdori fjalimin e tij hapës në mbledhjen e korporatave për t’u zotuar të bënte “çdo gjë që mundem për ta kaluar këtë kompani te pasardhësi im në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Biseda midis atyre në koktejin që pasoi prezantimet e tyre ishte se Thomas, i cili mbante atlete dhe nuk përdorte asnjë letër prezantuese, dukej më i shpenguar në skenë. Vëllai i tij më i madh Carsten, i cili drejton një portofol prej 370 investimesh kapitali sipërmarrës, shihet si më analitik nga të dy.

Dueli vëllazëror ka kohë që është duke u përgatitur. Kur ishin afërsisht 14 dhe 11 vjeç, gjyshërit e tyre i pyetën gjatë një pasditje çaji dhe ëmbëlsire të dielën, nëse shihnin një të ardhme për veten e tyre në kompani.

“Askush nuk tha kurrë duhet ta bësh këtë,” tha Carsten.

“Gjithmonë kam ndjerë se kam lirinë… të bëj çfarë të dua.”

Carsten dhe Thomas iu bashkuan biznesit familjar pas periudhave të punës në Goldman dhe McKinsey, përkatësisht. Më pas ata u zhvendosën në role dhe divizione të ndryshme çdo disa vjet.

Ndërkohë që përballja e dy vëllezërve kundër njëri-tjetrit mund të pritet të tendosë edhe lidhjet më të ngushta familjare, drejtuesit e Bertelsmann këmbëngulin se nuk ka shenja mosmarrëveshjeje.

“Pyesni këdo këtu nëse i ka parë ndonjëherë duke u grindur dhe askush nuk do të thotë po,” tha Kay Krafft, drejtuese e divizionit të arsimit të Bertelsmann.

“Nuk ka shumë biznese familjare ku mund ta thuash këtë.”

Megjithatë, dinamikat familjare nuk kanë qenë gjithmonë kaq harmonike.

Romanca e Reinhard Mohn me Liz filloi gjatë një loje zyre, kur ajo ishte një operatore telefonike 17-vjeçare. Pavarësisht se ishte i martuar me një grua tjetër, me të cilën kishte tre fëmijë, Mohn pati edhe tre fëmijë të tjerë me Liz. Marrëdhënia u mbajt sekret për më shumë se 20 vjet.

Liz mori përsipër kreun e kompanisë pas vdekjes së Reinhard në vitin 2009 dhe ia dorëzoi frenat djalit të saj Christoph katër vjet më vonë. Burime të larta të Bertelsmann thonë se ajo mbetet shumë me ndikim prapa skenave dhe ka nxitur promovimin e dy vëllezërve, edhe pse ata janë pasardhës të Reinhard Mohn dhe gruas së tij të parë, Magdalene.

Bertelsmann, i cili është 100 për qind në pronësi të familjes dhe fondacioneve të tyre bamirëse, është një konglomerat i përhapur që zotëron qindra biznese, duke përfshirë një biznes të zinxhirit të furnizimit Arvato dhe një grup universitar brazilian.

François Godard, një analist në konsulencën mediatike Enders Analysis, e përshkroi Bertelsmann, e cila mban selinë e saj globale në Gütersloh, një qytet me vetëm 100,000 banorë, si një “lloj të caktuar kompanie gjermane – provinciale, por globale”.

Drejtori ekzekutiv Thomas Rabe pritet të japë dorëheqjen në fund të vitit 2026 © John Macdougall/AFP/Getty Images

Një drejtues aktual e krahasoi punën për Bertelsmann me të qenit pjesë e një “firme private kapitali të mirë dhe miqësore”. Shumë njerëz të brendshëm thonë se pronësia familjare i mundëson Bertelsmann të ketë një këndvështrim afatgjatë dhe se drejtuesit janë të lumtur t’ua kalojnë përgjegjësinë krerëve të divizioneve.

“Ata janë gjithmonë këtu nëse kemi nevojë për ndihmën e tyre”, tha Nihar Malaviya, drejtor ekzekutiv i Penguin Random House me seli në Nju Jork.

“Por për sa kohë që i përmbushni pritshmëritë e tyre, ata janë larg ndërhyrjes që mund të kenë.”

Një ish-drejtues ekzekutiv ishte më pak komplimentues, duke e karakterizuar Bertelsmann si një organizatë thellësisht konservatore që ishte pak më shumë se një “zyrë familjare e lavdëruar” që po bëhej “gjithnjë e më pak e rëndësishme” në skenën globale.

Ambiciet e Rabe për grupin sugjerojnë se ai i sheh gjërat shumë ndryshe. Drejtori ekzekutiv tha se Bertelsmann duhet të arrijë 24 miliardë euro të ardhura dhe 2 miliardë euro fitim neto në vitet e ardhshme. Duke pasur parasysh se fitimi neto vitin e kaluar ishte pak mbi 1 miliard euro, Rabe po vendos një standard të lartë për pasardhësin e tij.

Mohn, kryetari i kompanisë, tha se ndërsa Carsten dhe Thomas kanë të dy “pika të forta të vërteta” si udhëheqës, familja planifikoi ta lehtësonte pasardhësin e Rabe në këtë rol duke shpërndarë përgjegjësitë e menaxhimit “në më shumë shpatulla” në organizatë.

Askush në biznes nuk është i gatshëm të parashikojë se kush do dalë fitues. Madje ka edhe një thashethem se Mohn mund t’i emërojë vëllezërit si bashkëdrejtorë ekzekutivë – një mundësi që kryetari nuk pranoi ta përjashtonte.

“Ne ende nuk e kemi përcaktuar atë në këtë nivel hollësish,” tha Mohn.

Kur u pyet për mundësinë e drejtimit të kompanisë në bashkëpunim me vëllain e tij, Carsten Coesfeld e shmangu pyetjen, duke thënë se vendimi nuk ishte i tiji.

Vëllai i tij më i vogël, Thomas, i cili e përshkruan veten dhe vëllain e tij si “shumë plotësues”, ishte më pak i kujdesshëm.

“Ka shumë mënyra të ndryshme se si mund të drejtohen kompanitë familjare”, tha ai.

“Shfrytëzimi maksimal i burimeve që keni, mendoj se do të japë rezultatet më të mira.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani