
Tezat e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u publikuan në rrjetet sociale brenda një ore nga nisja e testimit, duke ngritur shqetësime për rrjedhje informacioni. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, reagoi Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke deklaruar se procesi i Maturës Shtetërore po zhvillohet normalisht dhe në përputhje me standardet.
Në deklaratën zyrtare, MAS theksoi se publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cenon integritetin dhe besueshmërinë e procesit.
“Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë po kryhet sipas standardeve, nuk cenohet procesi. Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë.
Publikimi i tezës së provimit të lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cenon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore. Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës. Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant”.
Në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 27 mijë maturantë që do të zhvillojnë provimet për të vijuar më pas me aplikimin për në sistemin universitar.

