Të paktën tetë persona u vranë kur një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë në qytetin austriak të Gracit të martën, ndërsa disa persona të tjerë janë plagosur, shkruan Reuters.
Duke cituar policinë lokale, media shtetërore austriake, përfshirë transmetuesin kombëtar ORF, tha se disa persona ishin plagosur rëndë, përfshirë nxënës dhe mësues.
Policia tha se një operacion ishte duke u zhvilluar në një rrugë në kryeqytetin austriak të quajtur Dreierschuetzengasse, në të cilën ndodhet një shkollë e mesme, por nuk pranoi komente të mëtejshme.
Policia po evakuonte ndërtesën, tha ORF.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse i dyshuari ishte midis viktimave. Kronen Zeitung tha se një i dyshuar thuhet se ishte gjetur i vdekur në një banjo, por raporti nuk mund të konfirmohej menjëherë nga Reuters.
Mendohet se në të shtënat me armë zjarri është përfshirë një nxënës i shkollës së qytetit të Gracit, në jug të Austrisë.
Pamjet që dalin nga vendi i ngjarjes tregojnë disa ambulanca të vendosura pranë shkollës, me policë të armatosur që kanë rrethuar zonën. Nxënës dhe mësues besohet se janë midis të vdekurve dhe të plagosurve rëndë, shkruan LBC.
Në një përditësim të postuar në X, autoritetet lokale konfirmuan: “Operacioni është ende duke vazhduar. Helikopteri i policisë është gjithashtu në veprim.”
Sipas kësaj agjencie, i dyshuari pas të shtënave – i cili raportohet të jetë një nxënës në shkollë – u vetëvra pas sulmit.
Burri i një mësueseje, i cili raportohet të jetë bllokuar brenda klasës së saj së bashku me disa nxënës, i tha agjencisë lokale të lajmeve Krone se gruaja e tij dëgjoi “disa të shtëna me armë”.
Nxënësit e plagosur aktualisht po trajtohen nga mjekët në Sallën Helmut List aty pranë.
Grazi është qyteti i dytë më i madh në Austri, me një popullsi prej pak më pak se 300,000 banorësh.