
Pas dy ditësh ndalimi nga autoritetet serbe, ish-zyrtarit të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga një gjykatë në Serbi. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Arianit Koci.
Avokati Koci ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe me motivacione politike, pa asnjë provë apo bazë faktike që e mbështet atë. Ai ka bërë thirrje për përfshirjen dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës në këtë çështje, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, si dhe institucionet më të larta të vendit, përfshirë Kryeministrin dhe Presidenten.
“Së paku kërkojmë një reagim të qartë dhe publik nga institucionet, pasi asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të lihet vetëm kur përballet me përndjekje të padrejta,” tha Koci.
Ai po ashtu tha se për shkak të mungesës së veprimeve konkrete nga institucionet e Kosovës, është detyruar që vetë ta mbrojë klientin e tij dhe të garantojë që të drejtat e tij të respektohen.
Kjo çështje vjen në një kohë kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, dhe rastet e ndalimeve apo procedimeve ndaj qytetarëve kosovarë në Serbi shpesh konsiderohen si pjesë e një përplasjeje politike më të gjerë.