Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca plenare e 12 qershorit, debate te Konferenca e Kryetarëve, Bardhi dhe Tabaku akuzojnë Spiropalin për shpërdorim të Kuvendit


Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve këtë të diel solli përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste për shtyrjen e seancës plenare të Kuvendit, e cila ishte planifikuar të mbahej më 12 qershor.

Sipas vendimit të ri, seanca do të mbahet më 16 qershor, për shkak të pjesëmarrjes së kryeparlamentares Elisa Spiropali në një vizitë zyrtare në Ukrainë.

Kërkesa për shtyrje u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e opozitës. Deputeti Gazment Bardhi reagoi me tone të ashpra, duke akuzuar mazhorancën për keqpërdorim të Kuvendit dhe për shmangie të përgjegjësive:

“Ti rrugë të mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj, siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit.”, deklaroi Bardhi.

Përveç Bardhit, edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku reagoi ndaj qëndrimeve të mazhorancës, duke kritikuar gjuhën e përdorur nga Spiropali në Kuvend, të cilën ajo e konsideroi përçarëse dhe në kundërshtim me standardet evropiane.

“Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi.”, u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi gjithashtu se zhvillimet e fundit në Kuvend përbëjnë një regres për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me integrimin europian, duke veçuar problematikat në Këshillin e Integrimit, Komisionin e Posaçëm dhe në procesin elektoral:

“Që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit, në Komisionin e Posaçëm dhe në procesin elektoral. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në të gjitha raportet e integrimit, dhe ky kriter është shkelur në zgjedhjet e fundit.”

Pas debateve të ashpra, Konferenca e Kryetarëve vendosi shtyrjen e seancës për në 16 qershor, mes akuzave të ndërsjella për kapje të institucioneve dhe mungesë të vullnetit për bashkëpunim institucional.