
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka pezulluar nga detyra pesë punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Himarë, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Vendimi vjen pas konstatimit të disa ndërtimeve të paligjshme në zonat turistike të Drimadhes, Jalës dhe Dhërmiut.
Të dielën në mbrëmje, rreth orës 20:00, IKMT ndërhyri duke shembur katër struktura pa leje në Jalë, pa hasur në kundërshtime nga subjektet. Sot, aksioni ka vijuar në Dhërmi, ku janë nisur prishjet e pesë objekteve të tjera.
Informacionet paraprake tregojnë se ndërtimet përfshinin kapanonë që kishin filluar të ngriheshin për të ruajtur materiale ndërtimi, me qëllimin që të përdoreshin më tej në ndërtime të tjera të paligjshme në zonë.