
Autoritetet e Kosovës përuruan objektin e ri të stacionit policor në Izvor të Zveçanit, rreth dy kilometra larg kufirit me Serbinë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pranishëm në ceremoni, tha se stacioni do të forcojë sigurinë kufitare dhe do të ndihmojë në parandalimin e aktiviteteve ilegale.
Gurthemeli i këtij objekti u vendos më 25 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa për ndërtimin e tij janë investuar rreth 753 mijë euro. Stacioni ka një sipërfaqe prej rreth 4,000 metrash katrorë dhe synon të ofrojë kushte të mira pune për policinë dhe të përmirësojë efektivitetin në luftën kundër kontrabandës.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se, sipas marrëveshjeve të Brukselit, pika kufitare në Zveçan duhej të ishte një vendkalim i integruar, por kjo nuk është realizuar për shkak të mosrespektimit nga Serbia.
Vitin e kaluar, institucionet e Kosovës nisën ndërtimin e disa stacioneve policore në veriun me shumicë serbe, një nismë që nga Prishtina shihet si përforcim i sigurisë, ndërsa nga serbët lokalë dhe Beogradi konsiderohet si presion i panevojshëm.