
Yasser Abu Shabab, udhëheqës i një milicie palestineze në Rripin e Gazës, ka folur për radion ushtarake izraelite duke mohuar çdo bashkëpunim me Izraelin si dhe çdo marrëdhënie financiare me Autoritetin Palestinez.
“Ne nuk po bashkëpunojmë me Izraelin,” u shpreh Abu Shabab, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë takim me zyrtarë izraelitë gjatë vitit të fundit, përcjell Jerusalem Post.
Ai deklaroi gjithashtu se milicia e tij nuk është e armatosur me ndihmën e Izraelit:
“Armët tona nuk vijnë nga Izraeli. Janë armë të thjeshta që i kemi mbledhur nga popullsia lokale.”
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur kryetari i partisë Yisrael Beytenu, Avigdor Liberman, ka pretenduar se Izraeli po furnizon me armë familje kriminale dhe milici në Gaza për të luftuar Hamasin – një pretendim që Zyra e Kryeministrit izraelit dhe burime të sigurisë nuk e kanë mohuar zyrtarisht.
Megjithëse mohoi bashkëpunimin me Izraelin, Abu Shabab nuk e përjashtoi mundësinë e një koordinimi të ardhshëm me Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), por vetëm për arsye humanitare:
“Nëse ndodh ndonjë koordinim, do të jetë thjesht humanitar – për të mirën e popullit tonë në Rafahun Lindor – dhe do të realizohet përmes kanaleve ndërmjetësuese.”
Abu Shabab konfirmoi se milicia e tij mban marrëdhënie me Autoritetin Palestinez, por vetëm për çështje sigurie. Ai mohoi të ketë marrë ndonjë financim nga ky institucion:
“Marrëdhëniet tona me Autoritetin Palestinez zhvillohen në kuadër të interesit kombëtar të popullit palestinez dhe në bazë të legjitimitetit të tij ligjor.”
Ai shtoi se bashkëpunimi me PA realizohet përmes shërbimeve të inteligjencës (Muhabarat), me qëllim identifikimin dhe ndalimin e grupeve të lidhura me Hamasin që mund të cenojnë projektin e tyre të “çlirimit” nga Hamas.
Ndërkohë, Autoriteti Palestinez nuk ka konfirmuar përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit izraelit apo të Ministrisë së Mbrojtjes në këto marrëveshje sigurie.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Avigdor Liberman se milicitë si ajo e tij kanë lidhje me ISIS, Abu Shabab i hodhi poshtë këto akuza si të pavërteta:
“Nuk kemi asnjë lidhje me ndonjë shtet apo organizatë. Këto thashetheme synojnë të dëmtojnë reputacionin tonë dhe të krijojnë armiqësi midis nesh, Izraelit dhe vendeve arabe.”