
Shtetet e Bashkuara besojnë se hakmarrja e paralajmëruar nga presidenti rus Vladimir Putin për sulmin me dron që ndodhi fundjavën e kaluar në territorin rus nuk ka ndodhur ende në mënyrë të plotë dhe se pritet të jetë një goditje e madhe dhe me shumë drejtime, thanë zyrtarë amerikanë për Reuters.
Koha se kur do të ndodhë përgjigjja e plotë e Rusisë mbetet e paqartë, por një burim tha se ajo pritet brenda pak ditësh. Një zyrtar tjetër amerikan tha se hakmarrja pritet të përfshijë një gamë të gjerë kapacitetesh ajrore, përfshirë raketa dhe dronë.
Zyrtarët folën në kushte anonimiteti. Ata nuk dhanë detaje për objektivat e mundshëm që Rusia mund të synojë, as për hollësi rreth informacioneve të inteligjencës.
Njëri prej zyrtarëve tha se sulmi rus do të jetë “asimetrik”, që do të thotë se mënyra e reagimit dhe objektivat nuk do të pasqyrojnë domosdoshmërisht sulmin ukrainas ndaj avionëve ushtarakë rusë.
Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, të premten, dhe Ministria ruse e Mbrojtjes e përshkroi këtë si një përgjigje ndaj “akteve terroriste” nga Ukraina. Por zyrtarët amerikanë besojnë se kjo nuk përbën ende përgjigjen e plotë të Moskës.
Një burim diplomatik perëndimor tha se, edhe pse përgjigjja ruse mund të ketë nisur, ajo pritet të intensifikohet, duke përfshirë goditje ndaj objektivave simbolike si ndërtesa qeveritare, për të dhënë një mesazh të qartë për Kievin.
Një diplomat tjetër i lartë perëndimor parashikoi një sulm tjetër shkatërrues nga Moska.
“Do të jetë i madh, i egër dhe i pandalshëm,” tha ai. “Por ukrainasit janë njerëz të guximshëm.”
Ambasadat ruse dhe ukrainase në Uashington, si edhe Shtëpia e Bardhë, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Michael Kofman, ekspert për Rusinë pranë Carnegie Endowment for International Peace, tha se mendon se Moska mund të synojë të ndëshkojë agjencinë e sigurisë së brendshme të Ukrainës, SBU, për rolin e saj në sulmin e fundjavës së kaluar. Për të dhënë një mesazh të fortë, Rusia mund të përdorë raketa balistike me rreze të ndërmjetme, tha ai.
“Më së shumti, ata do të përpiqen të godasin selinë e SBU-së apo ndërtesa rajonale të inteligjencës,” shtoi Kofman, duke përmendur gjithashtu objektivat e mundshëm në qendrat e prodhimit të armëve në Ukrainë.
Megjithatë, ai theksoi se opsionet e Rusisë për të përshkallëzuar më tej janë të kufizuara, pasi ajo tashmë po përdor pjesën më të madhe të kapaciteteve të saj ushtarake në Ukrainë.
“Në përgjithësi, aftësia e Rusisë për të përshkallëzuar ndjeshëm goditjet nga ato që tashmë po kryen – dhe përpiqet të kryejë muajt e fundit – është mjaft e kufizuar,” tha ai.
Operacioni “Rrjeta e merimangës”
Ukraina deklaroi se sulmi i guximshëm i së dielës u realizua me 117 dronë të lëshuar nga brenda territorit rus, në një operacion të koduar “Rrjeta e merimangës”.
SHBA vlerëson se rreth 20 avionë luftarakë janë goditur – rreth gjysma e numrit të përmendur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – dhe rreth 10 prej tyre janë shkatërruar.
Qeveria ruse të enjten mohoi që ndonjë avion të ishte shkatërruar dhe tha se dëmet do të riparohen, por blogerët ushtarakë rusë kanë raportuar për humbje ose dëmtime të rënda të rreth një duzine avionësh, përfshirë ata që janë në gjendje të mbajnë armë bërthamore.
Ky sulm, i përgatitur për më shumë se 18 muaj dhe i realizuar me dronë të kontrabanduar pranë bazave nëpërmjet kamionëve, ka dhënë një goditje simbolike të fuqishme për Rusinë, e cila gjatë gjithë luftës në Ukrainë ka kujtuar rregullisht potencialin e saj bërthamor.
Presidenti rus Vladimir Putin, në një telefonatë me presidentin Donald Trump të mërkurën, i tha këtij të fundit se Moska do të duhej të përgjigjej ndaj sulmit, ka thënë Trump në një postim në rrjetet sociale.
Më pas Trump u tha gazetarëve: “Nuk do të jetë aspak e bukur.”
“Nuk më pëlqeu. I thashë: ‘Mos e bëj. Nuk duhet ta bësh. Duhet të ndalosh’,” shtoi Trump për bisedën e tij me Putinin. “Por, sërish, ka shumë urrejtje.”