
Trafik i rënduar është vërejtur mbrëmjen e sotme në rrugën e kthimit nga plazhet e Durrësit, Kavajës dhe Shëngjinit. Qytetarë të shumtë kanë shfrytëzuar fundjavën për t’iu larguar motit të nxehtë e për të pushuar në bregdet.
Segmentet rrugore kryesore janë përballur me një fluks të madh automjetesh që ka bërë që qarkullimi të ngadalësohet ndjeshëm, ndërsa në disa pika ka qenë gati i paralizuar për periudha të shkurtra kohe.
Zona më problematike është vërejtur në segmentin Papërr-Rrethrrotullimi i Bradasheshit-Tuneli i Krrabës ku dyndja e automjeteve ka krijuar radhë të gjata dhe vonesa të mëdha për drejtuesit e mjeteve.
Dalja masive nga plazhi në orët e pasdites ka shkaktuar trafik të rënduar që nga zona e Ranës së Hedhun e deri tek kryqëzimi hyrës i Shëngjinit.
Trafiku i rënduar vijon edhe përgjatë segmentit rrugor Shëngjin-Milot.