
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar për debatet rreth punimeve në ish-burgun e Spaçit, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për ndërhyrje konservuese dhe jo ndërtim të paligjshëm.
Sipas tij, ringritja e banjove dhe tarracës nuk është pjesë e projektit dhe nuk është miratuar nga IKTK. Elementë të tjerë si kulla metalike dhe një pjesë rrethimi do të realizohen vetëm pas dokumentimi historik dhe do të jenë të çmontueshme.
Ministri kërkoi ndjesë për shqetësimin publik dhe garantoi se çdo veprim është në përputhje me ligjin dhe projektin e miratuar.
Postimi i plotë:
Duke i uruar të gjithëve një fundjavë të mbarë, nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese.
Mbi disa pikëpyetje shtesë:
Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë!
Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik).
Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim.
Sqarimi i MEKI ka qenë shterrues dhe poashtu masat nga IKTK.
Faleminderit për mirëkuptimin tërë të interesuarve që me të drejtë u alarmuan nga dy foto të punimeve fillestare. Ndjesë për shqetësimin, edhe pse në çdo rast zbatimi do të respektonte projektin dhe kushtet e kontratës!