Vendosni fjalën kyçe....

Mark Carney fton Narendra Modin në samitin e G7, mes tensioneve të pazgjidhura Kanada-Indi


Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka ftuar homologun e tij indian, Narendra Modi, të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të G7 në Alberta, një veprim që shënon një kthesë në marrëdhëniet Kanada-Indi, të cilat ishin përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit, përcjell BBC.

Ftesa u bë gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të premten, sipas një njoftimi nga zyra e Carney. Kryeministri indian e konfirmoi pranimin e ftesës përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter), duke thënë se mezi pret të takohet me Carney në mesin e qershorit në samit.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pas akuzave të bëra nga ish-kryeministri Justin Trudeau, i cili vitin e kaluar deklaroi se India ishte përfshirë në vrasjen e një lideri separatist sikh në tokën kanadeze. Hardeep Singh Nijjar, një aktivist për krijimin e një shteti të pavarur për sikhët (Khalistan), u vra me armë zjarri pranë tempullit sikh që ai drejtonte në Surrey, British Columbia, në qershor të vitit 2023.

India e kishte shpallur Nijjar një terrorist dhe drejtues të një grupi militant, akuza të cilat përkrahësit e tij i cilësojnë si të pabazuara. Katër shtetas indianë janë arrestuar dhe akuzuar për përfshirje në vrasjen e tij.

Trudeau kishte pohuar se kishte prova që agjentë të qeverisë indiane ishin të përfshirë në atentat, ndërsa Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) deklaroi se kishte prova të forta për fushata dhune dhe shantazhi të orkestruara nga India në Kanada. India i ka hedhur poshtë akuzat si “të pakuptimta”, dhe përplasja diplomatike çoi në dëbimin e ndërsjellë të ambasadorëve dhe diplomatëve.

Carney mbrojti vendimin e tij për ta ftuar Modin, duke theksuar se, megjithëse India nuk është anëtare e G7, ajo ka marrë pjesë edhe më parë në samite të këtij formati dhe se diskutimet e këtij viti përfshijnë tema për të cilat “disa vende duhet të jenë të pranishme”.

Leximi zyrtar i bisedës mes Carney dhe Modi-t përmend gjithashtu një dakordësi për vazhdimin e bashkëpunimit mes organeve të rendit dhe diskutimeve mbi çështjet e sigurisë të lidhura me akuzat.

I pyetur nëse beson se Modi ishte i përfshirë në vrasjen e Nijjar, Carney refuzoi të komentojë, duke e cilësuar si çështje që po trajtohet nga drejtësia.

Megjithatë, ftesa ndaj Modit është kritikuar ashpër nga përfaqësues të komunitetit sikh në Kanada. Organizata Botërore e Sikhëve e quajti vendimin një “tradhti ndaj sikhëve kanadezë”, ndërsa Federata Sikh e Kanadasë e cilësoi si “fyerje të rëndë”.

Samiti i G7 do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në Kananaskis, Alberta. Ndër temat kryesore të rendit të ditës janë “paqja dhe siguria ndërkombëtare”, “stabiliteti ekonomik global” dhe “tranzicioni dixhital”.

Përveç Indisë, Carney ka ftuar edhe presidenten e re të Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cila ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, janë konfirmuar pranitë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrit australian Anthony Albanese. Lista e plotë e të ftuarve pritet të publikohet në ditët në vijim.