
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar me tone të ashpra ndaj opozitës gjatë një deklarate nga foltorja e Kuvendit, duke i kërkuar që të mos e zhvendosë përgjegjësinë për humbjen elektorale te qytetarët apo faktorë jashtë politikës.
Ai falënderoi veçanërisht qytetarët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës për sjelljen e tyre në zgjedhjet e 11 majit.
“Përshëndes qytetarët e Lezhës, Kurbinit e Mirditës për qytetarinë më 11 maj,” tha Manja, duke theksuar se distancohet nga çdo përpjekje për të etiketuar këto qytete si të lidhura me bandat.
Ministri i Drejtësisë deklaroi se bandat janë çështje që u takojnë institucioneve ligjzbatuese dhe se çdo palë ka pasur mundësi për të denoncuar krimet zgjedhore në përputhje me ligjin.
Ai i bëri thirrje opozitës që të bëjë një reflektim të brendshëm për humbjen.
“Mos u përpiqni që humbjen ta spostoni te qytetarët. Më 11 maj qytetarët bënë detyrën, votuan, bilbili ra, votat u numëruan dhe ky është rezultati që kemi. Kthehuni nga vetja dhe shihni ku iu ikën 250 mijë vota,” deklaroi Manja.
Duke iu referuar rastit të bashkisë së Mirditës, ai kujtoi se edhe aty qeveris Partia Demokratike, dhe se administrata e kësaj bashkie bëri fushatë për PD-në pa shkelur ligjin.
“Por s’e keni dëgjuar nga unë që të ankohem për përfshirjen e burimeve njerëzore në fushatë. Secili pas orarit zyrtar është i lirë të manifestojë bindjen e tij politike,” shtoi ai.