
Kili dhe Google nënshkruan të mërkurën një marrëveshje historike për ndërtimin e kabllos së parë nënujore me fibra optike që do të lidhë Amerikën e Jugut me Azinë dhe Oqeaninë. Projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2027.
“Kjo kabllo nuk është vetëm një përgjigje teknike, por përfaqëson një investim strategjik për qëndrueshmëri, diversifikim të rrugëve digjitale dhe hapje të mundësive të reja për bashkëpunim ndërkombëtar”, u shpreh ministri i Jashtëm i Kilit, Alberto van Klaveren, gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Santiago.
Alternativë më e shpejtë për rajonin
Aktualisht, Kili lidhet me SHBA-në dhe kontinentet e tjera përmes një kablli ekzistues nënujor. Projekti i ri, i quajtur “Projekti Humboldt”, synon të krijojë një rrugë shumë më të shpejtë dhe efikase për transmetimin e të dhënave. Përfitime nga kjo kabllo pritet të kenë gjithashtu Argjentina, Paraguai dhe Brazili.
Kablloja do të ketë një gjatësi prej rreth 14,800 kilometrash, duke nisur nga porti i Valparaisos në bregun perëndimor të Kilit, për të përfunduar në Sidnei të Australisë, duke kaluar përmes Polinezisë Franceze.
Sipas Cristian Ramos, drejtor i infrastrukturës së telekomunikacionit për Amerikën Latine në kompaninë mëmë të Google, Alphabet, kablloja do të jetë në dispozicion edhe për kompani të tjera teknologjike, jo vetëm për Google.
Investim strategjik me ndikim afatgjatë
Ky projekt u njoftua fillimisht në janar të vitit 2024. Qeveria kiliane bëri të ditur se kapaciteti i kabllos do të jetë 144 terabit për sekondë, me një jetëgjatësi prej 25 vjetësh.
Ministri i Telekomunikacionit i Kilit, Juan Carlos Muñoz, tha se kablloja do të reduktojë ndjeshëm vonesën në transmetimin e të dhënave, gjë që do të ketë ndikim të madh në fusha si telemjekësia, duke përmirësuar shërbimet shëndetësore në distancë.
Google ka investuar në këtë projekt një shumë që varion mes 300 dhe 550 milionë dollarëve, ndërsa qeveria e Kilit do të kontribuojë me 25 milionë dollarë.
Ky bashkëpunim përbën një hap strategjik për të forcuar lidhjen digjitale ndërkontinentale dhe për të rritur rolin e Amerikës Latine në rrjetin global të komunikimit./DW