
Elon Musk, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit të SHBA-së Donald Trump… të paktën deri para pak ditësh, ka bërë një deklaratë tejet të fortë teksa shkruan se Trump shfaqet në dosjet e Jeffrey Epstein.
“Koha për të plasur bombën e madhe:@realDonaldTrump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike.Kalofshi një ditë të mbarë, DJT!”
Sipas ish-shefit të DOGE, agjencisë që u themelua me fitoren e Trump dhe që ndërmori operacionin për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, qenia e Donald Trump në dosjet e Epstein janë arsyeja pse ato nuk janë bërë ende publike.

Pak muaj para se Trump të niste fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024, Elon Musk, një manjat i teknologjisë dhe anëtar i klubit të njohur me nofkën *“PayPal Mafia” u rrështua haptazi në mbështetje të Trump duke shpenzuars shuma të mëdha parash dhe rrjetin social X që bleu në fushatën e presidentit amerikan.
Dyshja ishin bashkëpunëtorë të ngushtë për një periudhë disamujore teksa Musk organizoi një operacion të gjerë për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, operacion që ngjalli jo pak pakënaqësi, xhelozi e armiqësi. Megjithatë DOGE kishte mbështetjen e plotë të Trump dhe Musk konsiderohej si personi më i afërt i presidentit amerikan. Ndër operacionet më me ndikim që ndërmori Musk ishte mbyllja e USAID, por jo vetëm.
Pak ditë më parë marrëveshja mes të dyve pësoi krisje, sipas mediave amerikane për shkak të kundërshtimit publik të Musk ndaj projektligjit gjithëpërfshirës të Trump për shkurtimin e taksave dhe shpenzimeve. Trump e sulmoi Musk-un duke shkruar se ishte i zhgënjyer me të.

“Unë dhe Eloni kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do e kemi më,” tha Trump në Zyrën Ovale, në përgjigjen e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj kritikave të Musk.
“Ai ka thënë vlerësimet më të mëdha për mua dhe asgjë të keqe, deri tani, por jam i sigurt se do e bëjë. Por unë jam shumë i zhgënjyer me Elonin. E kam ndihmuar shumë Elonin.”
Musk u kundërpërgjigj në platformën e tij sociale X duke thënë se Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet pa ndihmën e tij, duke postuar: “Çfarë mosmirënjohjeje.”
Trump u kundërpërgjigj në platformën e tij Truth Social, duke e akuzuar Musk se është “ÇMENDUR” dhe e paralajmëroi me ndërprerje të kontratave federale.
Shefi iTesla dhe SpaceX shpenzoi rreth 290 milionë dollarë në mbështetur kandidaturën presidenciale të Trump në vitin 2024, së bashku me fushata të tjera republikane.
Ajo që shumë në qarqet politike thashethemexhie të Uashingtonit e quajtën “bromancë” midis tyre, tani duket se ka mbaruar, sipas mediave në SHBA.
Pak ditë më parë, drejtori i FBi-së Kash Patel tha se qeveria nuk kishte ndonjë nxitim për sa i përket publikimit të Dosjes Epstein.
Pak muaj më parë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi urdhëroi publimin e dosjeve të para të Dosjes Epstein. Ky i fundit u akuzua dhe dënua për abuzim seksual e shfrytëzim të më shumë se 250 vajzave të mitura në shtëpitë e tij në Nju Jork dhe Florida, ndër të tjera. Ai u vetëvra në një burg të Nju Jorkut më 9 gusht 2019.
*(PayPal Mafia i referohet një grupi ish-punonjësish dhe themeluesish të PayPal të cilët më pas themeluan dhe zhvilluan kompani të suksesshme teknologjike, veçanërisht në Silicon Valley. Ky grup përfshin individë si Elon Musk (SpaceX, Tesla), Peter Thiel (Palantir Technologies, Affirm) dhe të tjerë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në industrinë e teknologjisë.)