Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi: Zgjedhjet ishin farsë, EPP denoncoi intimidim, abuzime dhe lidhje me krimin


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, mbajti një deklaratë të fortë në Kuvendin e Shqipërisë më 5 qershor, ku akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të fundit, të cilat ajo i cilësoi si “një farsë elektorale”.

Duke iu referuar raportit paraprak të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit, Vokshi theksoi se, sipas saj, për herë të parë propaganda e qeverisë nuk arriti të mbulojë realitetin.

Qëndrimi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) ishte i qartë: nuk ishin zgjedhje, por farsë,” u shpreh deputetja demokrate.

Ajo u ndal më tej në gjetjet e misionit të vëzhguesve të Parlamentit Evropian, duke përmendur si shqetësuese abuzimin me burimet shtetërore, intimidimin e votuesve, përdorimin e postit publik për përfitime elektorale, si dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Michael Gahler, drejtuesi i misionit të PE, i ka parë nga afër këto fenomene. Ai ka folur me qytetarët, ka ndjerë frikën në fjalën e tyre — frikë që nuk është parë më parë në një proces zgjedhor në Shqipëri,” theksoi Vokshi.

Deputetja përmendi gjithashtu përjetimet e saj në qytetin e Vorës, ku sipas saj është përballur me intimidim të drejtpërdrejtë ndaj saj dhe familjes së saj gjatë procesit zgjedhor.