Vendosni fjalën kyçe....

Partia Mundësia shënon 1-vjetorin, Shehaj: Nuk jemi përlyer me askënd, kemi pasur njerëzit punëtorë dhe të ndershëm


Në një aktivitet të organizuar me rastin e njëvjetorit të themelimit të Partisë “Mundësia”, kryetari i saj, Agron Shehaj, mbajti një fjalim të fuqishëm ku falënderoi qytetarët që i janë bashkuar që në ditët e para dhe theksoi se partia është rritur dhe forcuar, duke fituar dy mandate në zgjedhjet e para ku mori pjesë.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që na u bashkuan që në fillimet tona, në ditët e para,” u shpreh Shehaj. “Ne sot jo vetëm që jemi rritur, por jemi bërë më të fortë.”

Shehaj tha se Partia “Mundësia” ka treguar se në Shqipëri ende ka njerëz që nuk janë blerë, që nuk janë lodhur, që besojnë dhe shpresojnë.

“Me dy mandate në zgjedhjet tona të para kemi dëshmuar se në këtë vend ka akoma njerëz që nuk janë lodhur, që besojnë, që nuk janë blerë, që shpresojnë – dhe që ne i kemi bërë të ëndërrojnë.”

Duke folur për rrugëtimin e partisë gjatë vitit të parë, Shehaj theksoi se nuk kanë pasur pushtet, nuk kanë bërë pazare politike dhe nuk janë përlyer me askënd.

“Nuk kishim pushtet, nuk kemi bërë pazare, nuk jemi përlyer me askënd. Kemi pasur njerëzit punëtorë dhe të ndershëm, kemi denoncuar padrejtësi, kemi qenë zëri i atyre që kanë qenë të padëgjuar.”

Ai shtoi se mesazhi që ka marrë nga qytetarët gjatë kësaj kohe ka qenë i qartë: të vazhdojnë dhe të mos dorëzohen.

Shehaj u bëri thirrje qytetarëve që ndihen të përjashtuar dhe të lodhur nga korrupsioni, që t’i bashkohen Partisë “Mundësia”, duke e cilësuar këtë si një mundësi të re për ta.

“Tani duhet të jemi më të qartë, më të vendosur, më të organizuar. Dhe duhet t’i ftojmë të gjithë të na bashkohen. Për të gjithë ata që ndihen të përjashtuar, që janë të lodhur nga korrupsioni – kjo është mundësia juaj.”

Në fund, Shehaj theksoi se Partia “Mundësia” nuk është në politikë për të bërë opozitë me fjalë, por me vepra, duke u angazhuar për një Shqipëri që u përket qytetarëve të ndershëm.

“Nuk jemi këtu për të bërë opozitë me fjalë, por me vepra. Shqipëria është e shqiptarëve që ia dalin me punë të ndershme. Dera jonë është e hapur për këdo që beson se ky është një vend ku mund t’ia dalin të gjithë – jo vetëm të korruptuarit.”