Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Evropian: Mbi 4 milionë ukrainas mund të qëndrojnë në vendet evropiane deri në vitin 2027



Komisioni Evropian ka propozuar zgjatjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme për mbi 4.3 milionë qytetarë ukrainas që jetojnë në vendet e BE-së, deri në mars të vitit 2027, përcjell The Guardian. Propozimi, i publikuar të mërkurën, parashikon një shtyrje me një vit të mbrojtjes së përkohshme, e cila ishte aktivizuar pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Një e treta e përfituesve të këtij statusi janë fëmijë. Zgjatja duhet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së.

Komisioni bëri gjithashtu thirrje që shtetet anëtare të ofrojnë alternativa afatgjata për qytetarët ukrainas, përmes lejeve të tjera qëndrimi, si lejet për punë apo studime. Po ashtu, u kërkua ndërtimi i programeve për rikthim vullnetar në Ukrainë, përfshirë vizitat eksploruese për të vlerësuar kushtet në vend.

Komisioneri për Çështje të Brendshme të BE-së, Magnus Brunner, theksoi se çdo kthim do të jetë vullnetar dhe se përfundimi i mbrojtjes së përkohshme do të bëhet vetëm kur të ketë një situatë të qëndrueshme, në koordinim me Ukrainën.

Ndërkohë, qeveria ukrainase ka nisur një nismë për krijimin e qendrave komunitare të quajtura “unity hubs”, të cilat do të informojnë qytetarët për mundësitë e rikthimit dhe integrimit. Qendra e parë pritet të hapet këtë verë në Berlin, ndjekur nga Pragë dhe Alicante.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Chernyshov, deklaroi se vendi ka nevojë urgjente për kthimin e qytetarëve për të ndërtuar ekonominë pas luftës. Ai theksoi se Ukraina synon të dyfishojë ekonominë në dekadën pas përfundimit të luftës, çka do të kërkonte rreth 4 milionë punëtorë shtesë.

Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu një paketë të re prej 4 miliardë eurosh për të mbështetur ukrainasit në BE, përveç 15 miliardëve të shpërndarë që nga viti 2022.

Përveç BE-së, edhe vende si Norvegjia, që zbatojnë skema të ngjashme, kanë filluar të rishikojnë qëndrimin e tyre, duke kufizuar përfitimet për qytetarët që vijnë nga zonat e konsideruara të sigurta në Ukrainë.