Vendosni fjalën kyçe....

Irani refuzon propozimin e ri të SHBA-së për marrëveshjen bërthamore



Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, hodhi poshtë një propozim të ri nga SHBA për marrëveshjen bërthamore, duke e quajtur atë si “100% kundër interesave tona” dhe duke kritikuar udhëheqësit amerikanë si “arrogantë”, përcjell BBC.

Plani amerikan, i hartuar nga i dërguari i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, do t’i lejonte Iranit të vazhdonte pasurimin e uraniumit për qëllime civile, por do të kufizonte nivelin e pasurimit në 3%, shumë më poshtë pragut të armëve bërthamore prej 90%.

Pavarësisht pesë raundeve negociatash, mbeten dallime të mëdha, veçanërisht në lidhje me këmbënguljen e Iranit për të ruajtur kapacitetet e brendshme të pasurimit të uraniumit.

Khamenei theksoi se ndalimi i pasurimit të uraniumit bie ndesh me interesat kombëtare dhe sovranitetin e Iranit, duke nënvizuar rëndësinë e vetë-mjaftueshmërisë në programin bërthamor.

Edhe pse nuk i dha fund zyrtarisht negociatave, Khamenei e bëri të qartë se oferta aktuale amerikane nuk është në përputhje me parimet e Iranit.

Në sfond të këtij zhvillimi është fushata e rinovuar e “presionit maksimal” nga Presidenti Trump, e cila ka rikthyer sanksione të ashpra dhe kërcënime për veprime ushtarake me qëllim kufizimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit.

Një diplomat i lartë iranian ka bërë të ditur se Teherani po përgatit një përgjigje zyrtare që mund të përbëjë refuzim formal të propozimit amerikan.