Vendosni fjalën kyçe....

Hyjnë në fuqi tarifat 50% për çelikun dhe aluminin të vendosura nga Trump


Tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin janë dyfishuar në 50%, duke hyrë në fuqi që nga ora 12:01 e mëngjesit të së mërkurës (sipas orës lokale ET). Ky veprim është përshëndetur nga industria amerikane e çelikut, e cila ndodhet në vështirësi, por ka ngjallur shqetësim në sektorët që varen nga këto metale, përfshirë industrinë e automobilave dhe atë të prodhimit të kanaçeve.

Ky është hapi më i fundit në kuadër të luftës tregtare të Presidentit Donald Trump, i cili ka vendosur një sërë tarifash që prej muajit shkurt. Megjithatë, tarifat për çelikun kanë një rëndësi të veçantë për presidentin dhe për bazën e tij politike, pasi simbolizojnë një sektor të prodhimit amerikan që dikur ishte krenari kombëtare, por që më pas është përballur me sfida serioze.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e tarifave nuk do të ndjehet menjëherë në xhepat e qytetarëve amerikanë, por pritet që kostoja e tyre të reflektohet në çmime më të larta për ndërtimet, makinat, pajisjet dhe produkte të tjera. Dhe ndërsa masat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e vendeve të punës në industrinë e çelikut, ato mund të sjellin pasoja negative për punësimin në sektorë shumë më të mëdhenj.

Pavarësisht kritikave, administrata e Trump thekson se tarifat janë të domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e vendit. “Prodhimi vendas i çelikut dhe aluminit është i pazëvendësueshëm për bazën industriale të mbrojtjes sonë,” deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, për CNN.

“Administrata Trump mbetet e përkushtuar për të rivendosur prodhimin vendas që është kyç për sigurinë tonë kombëtare dhe ekonomike, përmes një sërë reformash në anën e furnizimit ,përfshirë uljen e rregulloreve, reduktimin e taksave dhe fuqizimin e energjisë amerikane me qëllim që t’u japë lehtësim ekonomik qyetetarëve amerikanë.”

Nga ana tjetër, edhe Instituti Amerikan i Hekurit dhe Çelikut ka dalë në mbështetje të këtyre masave, duke theksuar se mbrojtja e kësaj industrie është jetike për të ardhmen ekonomike të vendit.

“Ne ende konsumojmë më shumë çelik sesa prodhojmë në Amerikë”, tha Lourenco Goncalves, drejtor ekzekutiv i Cleveland Cliffs, një nga prodhuesit kryesorë të çelikut në SHBA, dhe kryetar i AISI.

Ai tha se rritja e tarifave në 50% do ta rrisë koston e ndërtimit të një makine vetëm me 300 dollarë, të cilën e karakterizoi si të vogël në krahasim me koston e përgjithshme të një makine.

“Kostoja mesatare e një makine është 48,000 dollarë, me 300 dollarë shtesë, bëhet 48,300 dollarë. Ky nuk do të jetë faktori vendimmarrës për një person nëse do të blejë apo jo një makinë”, tha ai në një konferencë për shtyp të martën.