Vendosni fjalën kyçe....

Goditet rrjeti i falsifikimit të veshjeve, në pranga edhe koordinatori turk i stampimit me logo të rreme


Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”. Në pranga ranë shtetasi turk O. S., 46 vjeç, i dyshuar si organizator i procesit të stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara, dhe L. H., 21 vjeç, bashkadministrator i një prej magazinave ku kryhej aktiviteti.

Një ditë më parë, në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan 4 persona të tjerë dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë, pas zbulimit të dy magazinave në fshatin Brrar, ku ruheshin dhe përpunoheshin veshje me logo të rreme të markave të njohura.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.
Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.

Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.

I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.

Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.

Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.

Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.