Vendosni fjalën kyçe....

Raporti – Projektligji i Trump për uljen e taksave do t’i kushtojë SHBA-së 2.4 trilionë dollarë, më pak se sa parashikimet e mëparshme


Zyra Jo-partiake e Buxhetit të Kongresit të SHBA (CBO) njoftoi të mërkurën se projektligji për uljen e taksave dhe shpenzimeve i propozuar nga Presidenti Donald Trump pritet të rrisë borxhin kombëtar me rreth 2.4 trilionë dollarë , një shifër ndjeshëm më e ulët se parashikimi i mëparshëm prej 3.8 trilionë dollarësh.

Ky vlerësim vjen një ditë pasi Elon Musk, një nga aleatët më të zëshëm të Trump, e kritikoi ashpër projektligjin duke e quajtur “një neveri e neveritshme”, duke forcuar pozitat e republikanëve që kundërshtojnë rritjen e deficitit.

Sipas CBO, projektligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve më 22 maj, pa asnjë votë nga demokratët – do të ulë të ardhurat e qeverisë federale me 3.67 trilionë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa do të shkurtojë shpenzimet me vetëm 1.25 trilionë dollarë.

Raporti gjithashtu paralajmëron se për shkak të ndryshimeve të propozuara në politikat shëndetësore, deri në vitin 2034 numri i personave pa sigurim shëndetësor do të rritet me 10.9 milionë, përfshirë 1.4 milion emigrantë të paregjistruar që do të përjashtohen nga programet e financuara nga shtetet.

CBO nuk ka përfshirë ende një analizë për efektet makroekonomike të projektligjit – e cila pritet të publikohet më vonë. Republikanët pohojnë se zgjatja e uljeve të taksave të vitit 2017 dhe shtimi i lehtësirave të reja do të nxisë rritjen ekonomike.

Megjithatë, CBO thekson se edhe për shkak të këtyre uljeve, deficiti federal u rrit me pothuajse 1.9 trilionë dollarë gjatë dekadës së fundit.

Projektligji prej 1,100 faqesh do të zgjaste uljet e taksave për korporatat dhe individët të miratuara në mandatin e parë të Trump, do të anulonte shumicën e stimujve për energjinë e gjelbër të miratuara nën ish-presidentin Joe Biden dhe do të ashpërsonte kriteret për përfitimin nga programet për ushqim dhe kujdes shëndetësor për të varfrit.

Po ashtu, do të financojë shtimin masiv të forcave kufitare dhe do të krijojë kapacitete për deportimin e deri në 1 milion emigrantëve në vit. Ligji do të zbusë gjithashtu rregulloret për përdorimin e silenciatorëve të armëve.

Demokratët e kanë kritikuar ashpër projektligjin, duke thënë se përfitimet më të mëdha i shkojnë të pasurve, ndërsa të varfrit humbasin ndihmat.

Përditësimi i CBO-së reflekton ndryshimet e fundit të bëra nga udhëheqësit republikanë për ta kaluar projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët e Kongresit u përpoqën të minimizonin kritikat e Elon Musk-ut, i cili fillimisht kishte premtuar të ndihmonte në shkurtimin e 2 trilionë dollarëve nga buxheti federal, por u largua nga procesi javën e kaluar, pa arritur thuajse asgjë nga këto objektiva.

Kreu i shumicës republikane në Senat, John Thune, tha për gazetarët: “E respektojmë gjithçka që Elon ka bërë me DOGE. Por për këtë çështje kemi një mendim ndryshe.”

Analiza e re pritet të ndikojë debatin në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ku po punohet për versionin e vet të projektligjit. Me një shumicë të ngushtë prej 53-47, republikanët janë të ndarë për ndryshimet që duhet t’i bëhen projektligjit.

Disa po kërkojnë të zbuten shkurtimet në Medicaid prej mbi 700 miliardë dollarësh, ndërsa të tjerë po kundërshtojnë disa nga lehtësirat fiskale të mbështetura nga Trump për pagat shtesë, bakshishet dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters