Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Parlamenti Europian dënoi farsën e 11 majit, nevojitet ndërhyrje institucionale në procesin zgjedhor


Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaron se Parlamenti Europian ka dënuar zgjedhjet e 11 majit, duke i cilësuar si një farsë elektorale.

Sipas tij, ky qëndrim është një sinjal i fortë për legjitimitetin e rrezikuar të procesit zgjedhor në Shqipëri.

Balliu thekson se ky vlerësim i Parlamentit Europian përforcohet edhe nga raporti i misionit të OSBE-së, i cili konstaton se zgjedhjet e fundit “nuk i përmbushin standardet minimale për një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian.”

Në këtë kuadër, ai i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Sipas Balliut, Michael Gahler, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian dhe drejtues i delegacionit të eurodeputetëve që ndoqën zgjedhjet e 11 majit, ka deklaruar se “krimi i organizuar në Shqipëri ka kapur procesin zgjedhor dhe po pengon çdo shans për rotacion të lirë dhe demokratik të pushtetit.”

Deputeti demokrat shton gjithashtu se edhe IDU-CDI ka denoncuar “blerjen masive të votës, përdorimin e paligjshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe ushtrimin e presionit sistematik mbi qytetarët,” duke e cilësuar këtë si një strategji të orkestruar nga qeveria për të deformuar rezultatin përfundimtar.

Ai nënvizon se Partia Popullore Europiane ka theksuar rëndësinë e “ngritjes së një grupi të specializuar për mbledhjen dhe analizimin e fakteve dhe provave” lidhur me këtë që Balliu e cilëson si një farsë elektorale.

Në përfundim të deklaratës së tij, Balliu shkruan: “Përpjekjet për të legjitimuar këtë proces si ‘zgjedhje’ përbëjnë jo vetëm një fyerje të thellë ndaj qytetarëve, por edhe një sfidë të rëndë ndaj parimeve themelore të demokracisë. Ne bëjmë thirrje për një reagim të menjëhershëm nga faktori ndërkombëtar dhe për ndërhyrje institucionale të fuqishme që do të sigurojnë rikthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.”