
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, ka çmontuar një rrjet të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës, ku janë goditur katër grupe kriminale dhe janë akuzuar 11 persona, të gjithë shtetas shqiptarë.
Hetimet kanë zgjatur mbi dy vjet dhe janë zhvilluar me metoda speciale hetimi, përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime të fshehta dhe bashkëpunim të ngushtë me Byrosë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.
Sipas SPAK, rrjeti kriminal trafikonte sasi të mëdha droge nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës, ku lënda narkotike shpërndahej në qytete të ndryshme përmes një strukture të mirëorganizuar. Në total janë sekuestruar rreth 400 kilogramë amfetaminë dhe 500 kilogramë lëndë të tjera narkotike, përfshirë kanabis dhe kokainë.
Nga 11 të akuzuarit, 9 janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, një pjesë e personave të përfshirë janë arrestuar dhe dënuar në Finlandë.
SPAK e ka cilësuar këtë operacion si një goditje të rëndësishme kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe si një dëshmi të angazhimit të institucioneve shqiptare në luftën kundër trafikut të drogës dhe bashkëpunimin efektiv me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.